Milwaukee rikthehet tek fitorja, Phoenix “shkatërrohet” nga Portland

Milwaukee reagon pas humbjes së parë sezonale në NBA, duke fituar 121-11 në shtëpinë e Spurs-ave, falë 28 pikëve të Middleton dhe 21 pikëve të shënuar nga Antetokounmpo.

Fituesit e sezonit të kaluar të Konferencës së Perëndimit, Phoenix, mposhten në Portland 134-105 nga vendasit. Dallas dhe Cleveland i gëzohen sukseseve të para sezonale në NBA, ndërsa fitojnë edhe Indiana, Chicago, Memphis dhe Minnesota.

SAN ANTONIO SPURS-MILWAUKEE BUCKS 111-121

Milwaukee reagon menjëherë pas humbjes përballë Miamit, duke fituar 121-111 në shtëpinë e San Antonios. Sfida u vendos në periodën e katërt, ku Bucks-at u shkëputën 11-2 në fillim dhe më pas ruajtën avantazhin deri në fund të takimit.

Khris Middleton dhe Giannis Antetokounmpo kanë qenë më të mirët për kampionët në fuqi të NBA në këtë takim. San Antonio nuk arrin të evitojë humbjen e dytë radhazi, pavarësisht 25 pikëve të shënuar nga McDermott.

PORTLAND TRAIL BLAZERS-PHOENIX SUNS 134-105

Ka ardhur humbja e parë në Ligë për fituesit e sezonit të kaluar të Konferencës së Perëndimit. Phoenix mundet 134-105 në shtëpinë e Portland Trail Blazers, që arrijnë fitoren e parë në NBA këtë sezon. Nuk kishte garë në “Moda Center”, pasi vendasit komandojnë gjatë gjithë ndeshjes.

McCollum është ai që shënon më shumë në këtë sfidë, 28 pikë, ndërsa Lillard 19 pikë në 25 minuta. Më i miri për Suns-at ka qënë Devin Booker me 21 pikë të shënuara.

TORONTO RAPTORS-DALLAS MAVERICKS 95-103

Dallasi arrin fitoren e parë sezonale, pasi ka mposhtur Toronton, falë një pjese të dytë të shkëlqyer, duke përmbysur disavantazhin e pjesës së parë (po mundeshin 51-45).

Doncic realizon 27 pikë, ndërsa Hardaway jep një kontribut të çmuar në fitore, duke shënuar 25 pikë. Torontos nuk i mjaftojnë 23 pikët e Anunoby, për të evituar humbjen e dytë sezonale.

Rezultatet e ndeshjeve të tjera:

CLEVELAND CAVALIERS-ATLANTA HAWKS 101-95

LOS ANGELES CLIPPERS-MEMPHIS GRIZZLIES 114-120

CHICAGO BULLS-DETROIT PISTONS 97-82

MINNESOTA TIMBERWOLVES-NEW ORLEANS PELICANS 96-89

INDIANA PACERS-MIAMI HEAT 102-91 (pas Overtime)