Milwaukee befasohet nga Minnesota, tjetër humbje për Lakers dhe Brooklyn Nets

Antetokounmpo realizon 40 pikë, por ato nuk mjaftojnë për Milwaukee, që mundet në shtëpi nga  Minnesota. Nets-at humbasin përballë Miamit, ndërsa Lakers, sërish pa LeBron James, munden nga Oklahoma.

MILWAUKEE BUCKS-MINNESOTA TIMBERWOLVES 108-113

Ka qënë një natë e keqe ajo e mbrëmshmja për Milwaukee, që mposhtet në shtëpi nga Minnesota. Pavarësisht ndeshjes së madhe të zhvilluar nga Giannis Antetokounmpo (40 pikë), mungesat e Jrue Holiday dhe Brook Lopez peshojnë dhe Bucks-at kanë qenë në disavantazh përballë Minnesotas pothuajse përgjatë gjithë ndeshjes.

Kur vendasit mendojnë se më në fund mund të arrijnë fitoren, me Middleton që realizon duke çuar rezultatin në 106-108, vjen goditja përfundimtare me Anthony Edwards (25 pikë) që shënon dhe vulos fitoren e miqve.

OKLAHOMA CITY THUNDER-LOS ANGELES LAKERS 123-115

Përballë Oklahomas, Lakers pëson përmbysjen më të madhe në 25 vitet e fundit: pasi arritën të ishin 26 pikë përpara, pas një fillimi shumë të mirë të ndeshjes, miqtë dorëzohen ne periodën e tretë (41-23) dhe gabojnë shumë gjuajtje për të barazuar sfidën.

Pa LeBron James për të dytën ndeshje radhazi, Lakers-at i udhëheq Anthony Davis (30 pikë). Ish-i i sfidës Russell Westbrook realizon një “Triple Double” (20 pikë, 14 rebound dhe 13 asist) dhe mbyll sfidën para kohe, pasi plotëson numrin e faulleve. Suksesi i parë sezonal për Thunder, me Shai Gilgeous-Alexander protagonist me 27 pikë të realizuara.

BROOKLYN NETS-MIAMI HEAT 93-106

Miami arrin një fitore të merituar në Brooklyn përballë skuadrës vendase. Bam Adebayo e mbyll sfidën me 24 pikë, por në fitoren e miqve ndihmojnë edhe Jimmy Butler (17 pikë), PJ Tucker (15 pikë) dhe Tyler Herro e Dewayne Dedmon me nga 14 pikë secili.

Nets-at nuk kanë çfarë të bëjnë, veçse të pranojnë humbjen e tretë në 5 takime të zhvilluara. Kevin Durant e mbyll me 25 pikë, por asnjë nga shokët e skuadrës nuk mban dot ritmin e tij. James Harden, sërish jashtë forme shënon 14 pikë, ndërsa Joe Harris 15 pikë.

NEW ORLEANS PELICANS-ATLANTA HAWKS 99-102

LOS ANGELES CLIPPERS-CLEVELAND CAVALIERS 79-92

BOSTON CELTICS-WASHINGTON WIZARDS 107-116

ORLANDO MAGIC-CHARLOTTE HORNETS 111-120

TORONTO RAPTORS-INDIANA PACERS 118-100

PHOENIX SUNS-SACRAMENTO KINGS 107-110

PORTLAND-MEMPHIS GRIZZLIES 116-96