Mino Raiola në “Casa Milan”, nisin bisedimet për Romagnolin

Kanë nisur zyrtarisht bisedimet mes Milanit dhe Mino Raiolës për rinovimin e Alessio Romagnolit. Pasi ka takuar mbrëmjen e djeshme lojtarin, agjenti italo-holandez ka mbërritur paraditen e sotme në “Casa Milan” për të takuar drejtuesit kuqezinj dhe për të diskutuar situatën me lojtarin e tij.

Për momentin, palët janë shumë larg njëra-tjetrës dhe kapitenit të Milanit i skadon kontrata në qershor. Duhet thënë që nuk kemi mbërritur në pikën e krisjes dhe kjo gjë lë vend për të arritur një marrëveshje, edhe pse problemi kryesor është rroga.

Romagnoli për momentin përfiton 5,5 milionë euro, ndërsa drejtuesit duan që t’ia ulin deri në 3,5 milionë dhe për ta vendosur skadencën e kontratës deri në vitin 2026. Dëshira e kapitenit është të qëndrojë në Milano, pavarësisht faktit se Juventusi po vëzhgon situatën.

“Zonja e Vjetër” është gati të transferojë mbrojtësin italian vetëm nëse ai lirohet me zero dhe pa rinovuar kontratën. E sigurt është që e ardhmja e tij do të vendoset gjatë këtyre ditëve.

Maldini dhe Massara duan që gjatë kësaj kohe të rinovojnë me Piolin dhe pastaj të kalojnë në një çështje më të nxehtë si ajo e Franck Kessie. / oversport.tv