Miqësoret kundër Azerbajxhanit dhe Polonisë/ Bushi: Kam besim te ky grup lojtarësh, rivalët nuk i kemi frikë

Shqipëria U-21 do të nisë pas disa ditësh grumbullimin për dy ndeshjet miqësore të muajit mars kundër Azerbajxhanit (23 mars) dhe Polonisë (27 mars) që do të zhvillohen në Turqi. Paraditen e sotme, trajneri Alban Bushi shpalli listën me 24 futbollistët e grumbulluar. Në prag të grumbullimit, tekniku kuqezi doli në një konferencë për mediat në ambientet e ‘Shtëpisë së Futbollit’, ku shpjegoi listën me lojtarët e grumbulluar, ndërsa komentoi edhe dy sfidat e Shqipërisë kundër Azerbajxhanit dhe Polonisë.

Trajneri Bushi u shpreh se dy rivalët e ekipit kombëtar U-21 në këto dy sfida i ngjasojnë kundërshtarëve në grupin E të kualifikueseve të Europianit 2025 për këtë grupmoshë, ndërsa u shpreh se grupi i lojtarëve që Shqipëria do të ketë në bazën e saj në këtë edicion i ngjallin shumë besim falë cilësive të tyre dhe se Shpresat mund të shkruajnë historinë në këto kualifikuese. Ndër të tjera, trajneri Alban Bushi foli edhe për eliminatoret e kësaj grupmoshe, ku Shpresat ndodhen në grupin E bashkë me Rumaninë, Finlandën, Zvicrën, Malin e Zi dhe Armeninë, si edhe lojtarët nga kampionati shqiptar.

Miqësoret kundër Polonisë dhe Azerbajxhanit – Kemi dy ndeshje shumë të rëndësishme si me Azerbajxhanin ashtu edhe me Poloninë, dy sfida që na vlejnë në përgatitjet për eliminatoret e Europianit. Kemi zgjedhur Azerbajxhanin si kundërshtar pasi ndeshjen e parë zyrtare e kemi në Armeni dhe ndeshjen e dytë e kemi me Rumaninë këtu. Rivalë si Azerbajxhani dhe Polonia janë të ngjashëm me ato që do të kemi në turneun zyrtar, mendoj se do të na shërbejnë shumë këto dy sfida. Grupi i lojtarëve është i plotë, për fat të mirë nuk kemi pasur dëmtime dhe unë besoj se ky grup lojtarësh në masën 90% do të jetë i gatshëm deri në fund të sezonit. Kam shumë besim te lojtarët e vitlindjes 2002-2003 që kemi aktualisht, por kemi edhe të vitlindjes 2004, duke qenë se mendojmë edhe sezonet e ardhshme. Mendoj që kemi një grup lojtarësh shumë të mirë dhe cilësor, lojtarë që do t’i shërbejnë edhe Kombëtare A në të ardhmen, lojtarë që po marrin minuta me ekipet e tyre dhe kjo më gëzon shumë, sepse kemi pasur shpesh probleme me lojtarë që nuk aktivizoheshin shumë me klubet e tyre, por këtë radhë kanë që të gjithë minuta. Mendoj që do të bëjmë mirë këto dy ndeshjet, por duke pasur në fokus gjithmonë ndeshet me Armeninë dhe Rumaninë në shtator.

Sa vlejnë këto miqësore? – Miqësoret gjithnjë bëjnë mirë, jo vetëm për ekipin por edhe për lojtarët, sepse një lojtar duhet të jetë i kompletuar kur shkon në Kombëtaren A. Dikur në kohën kur unë isha lojtar bëheshin pak miqësore, kurse tani një lojtar që shkon në Kombëtaren A, është i kompletuar që te Kombëtaret U-15, U-17, U-19 dhe U-21, dhe ka shumë eksperiencë. Kjo na shërben edhe ne si ekip, edhe lojtarëve si individë, që ata të kenë mundësi të ndeshen me skuadra si Gjermania, Italia, Polonia e që të jenë të fortë ne aspektin psikologjik për të qenë gati për të luajtur në Kombëtaren A. Edhe ne si ekip na bën mirë, pasi kemi mundësi të provojmë module loje. Jemi në dilemë për skemën që do të përdorim, mbase do të ndryshojmë sepse me lojtarët që kemi pothuajse të gjithë luajnë për shembull në mbrojtje me tre. Do ta mendojmë e ta provojmë në miqësoret e marsit dhe miqësoren që kemi në qershor e të provojmë disa skema për t’u përballur sa më mirë me Armeninë. Unë kam shumë besim dhe ky grup që kemi aktualisht do të shkruajë historinë e Kombëtares U-21, sepse është grup shumë i fortë. Patjetër që shorti është shumë i mirë, duke pasur parasysh që nuk kemi ekipe të mëdha përballë si Gjermania, Anglia. Janë ekipe si Rumania e Zvicra, që të lënë të luash futboll, të lënë mundësi të luash e jo si Anglia që është shumë e vështirë dhe është gjithçka e hapur në këtë grup”.

Kundërshtarët në Europian – Janë kundërshtarë ‘të mirë’, mund të them se janë ekipe më të mëdha se lojtarët tanë aktualisht, por si individë dhe si cilësi lojtarësh janë aty-aty me lojtarët tanë. Pavarësisht se luajnë me ekipe më prestigjioze dhe më të forta se ekipet ku luajnë lojtarët tanë. E shoh si një grup të ekuilibruar dhe të kalueshëm nga ekipi ynë. U bëra shumë vite në krye të ekipit U-21, jemi përballur me ekipe më të forta, si Anglia, Spanja, Italia etj. Futbolli është aty-aty, me diferenca shumë të vogla. Mund të mposhtësh çdo ekip përveç këtyre që përmenda. Nuk duhet të kemi frikë asnjë ekip, as Zvicrën, as Finlandën, as Rumaninë. Janë ekipe të kalueshme, por duhet të luajmë ashtu siç dimë ne, fort, kompakt, duhet të sakrifikojmë dhe duhet të kalojmë me sukses.

Lojtarët nga kampionati shqiptar – Është hera e parë që ne marrim kaq pak lojtar nga Superiorja tek ekipi U-21. Duhet të theksoj që Superiorja ka qenë e vakët sa i përket lojtarëve të rinj që aktivizojnë ekipet shqiptare në gjirin e tyre dhe në organikën e tyre. Do të doja të kishim më shumë lojtarë, por për momentin janë vetëm këta. Që po luajnë rregullisht tek ekipet e tyre. Pres akoma më shumë nga Preka, pasi kemi problem me qendrën e mbrojtjes dhe duam të kemi alternativa. Është një lojtar shumë i mirë, që pavarësisht se nuk është këtë radhë, pres që të marrë minuta dhe në të ardhmen të jetë pjesë e Kombëtares sepse është një lojtar shumë cilësor. Mendoj se do të jetë një alternativë shumë e mirë në repartin e mbrojtjes.

I kënaqur me punën në krye të ekipit kombëtar U-21? – I kënaqur nuk mund të them se jam. I kënaqur do të jem kur të kualifikojmë ekipin U-21 në kampionatin europian. Kjo do të jetë kënaqësia ime më e madhe. Pavarësisht se kemi bërë mirë, ashtu sikurse ka pasur edhe situata ku nuk kemi bërë mirë. Kanë shkuar edhe lojtarë në ekipin e parë dhe ky ka qenë një nga objektivat e realizuar. Kemi qenë afër kualifikimit përpara dy edicionesh, duke zënë vendin e tretë në grup para një edicioni. Mendojmë që këtë grup të luajmë ‘të gjitha për të gjitha’ dhe kam besim që do ta kalojmë sepse edhe grupi është ok. Lojtarët janë shumë të mirë dhe shumë cilësorë dhe në bisedat që kemi bërë me trajnerin e ekipit A, Sylvinho-n, më ka lënë dorë të hapur dhe nuk do t’i prekë për momentin, pasi nuk janë ende gati për ekipin A. Mendoj që do të kemi sukses.