Miqësorja e dytë/ Shqipëria U-17 mposht Maqedoninë e Veriut në “Elbasan Arena”

Kombëtarja shqiptare U-17 ka zhvilluar sot miqësoren e dytë të programuar ndaj Maqedonisë së Veriut U-17, të luajtur në stadiumin “Elbasan Arena”. Ndryshe nga miqësorja e pak ditëve më parë, kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Ervin Bulku kanë triumfuar këtë herë, duke fituar me rezultatin 2-0.

Shqipëria U-17 e nisi ndeshje me këtë formacion titullar: Amarildo Dervishi, Albi Koleci, Adi Kurti, Alion Damini, Egert Selmani, Klaus Kashari, Jordi Jaku, Dean Vranici, Dejvi Metaj, Ersi Bode, Flavio Sulejmani.

Kombëtarja shqiptare e nis mirë ndeshjen, duke gjetur edhe golin e avantazhit me anë të Flavio Sulejmanit, i cili realizoi në minutën e 15-të duke çuar shifrat në 1-0. Kuqezinjtë janë vazhdimisht superiore dhe dominojnë sfidën, duke merituar edhe avantazhin. Në pjesën e dytë trajneri Bulku bën shumë zëvendësime, ndërsa vjen edhe goli i dytë me autor sërish Sulejmanin, që tund rrjetën në minutën e 52-të. Sfida duket sikur komplikohet me daljen me karton të kuq nga loja e Jordi Jakut, i cili merr kartonin e dytë të verdhë. Gjithsesi, përfaqësuesja kuqezi arrin të menaxhojë lojën, madje i afrohet edhe golin të tretë me të zakonshmin Sulejmani, i cili godet traversën.

Shqipëria U-17 arrin të mbrojë rezultatin deri në fund, duke fituar 2-0 me protagonist kryesor Sulejmanin.

Në miqësoren e 12 shatorit të luajtur në stadiumin e Strugës, përfaqësuesja U-17 barazoi me rezultatin 3-3 me Maqedoninë e Veriut me golat e Sulejmanit dhe dopjetën e Adi Kurtit.

Nëpërmjet këtyre miqësoreve ekipi kombëtar U-17 po përgatitet për turneun zyrtar në Kroaci, ku do të marrë pjesë në kualifikueset e Kampionatit Europian 2023 për këtë grupmoshë. Kuqezinjtë janë shortuar në të njëjtin grup me Kroacinë, Uellsin e Suedinë. Kombëtarja U-17 ka zhvilluar disa seleksionime, grumbullime e ndeshje miqësore gjatë këtij viti.

Foto: fshf.org