Mjafton një gol i Strefezzas, Lecce merr një fitore jetike për mbijetesën

Mjafton një gol i Gabriel Strefezza që Lecce të dalë me pikë të plota dhe të marrë një fitore jetike për mbijetesën në Serie A. Skuadra e Baronit mposht minimalisht në shtëpi Udinesen me rezultatin 1-0 në sfidën që çeli javën e 32-të të Serie A.

Ndeshja nis e qetë me të dyja ekipet që studiojnë kundërshtarin. Me kalimin e minutave, është Lecce që jep shkëndijat e para, fillimisht me Colombo e më pas me Di Francesco. Vendasit kanë mundësi edhe me anë të kundërsulmeve, por që gabohen gjithmonë në pasimin e fundit.

Nga ana tjetër Udinese provon me Lovric që i shkon pranë një supergoli, por që ndalet nga portieri Falcone. Me rrjeta të paprekura mbyllet pjesa e parë, ndërsa në të dytën historia ndryshon.

Gabriel Strefezza përkthen në gol një penallti në minutën e 62-të që vulos edhe fatin e këtij takimi. Me këtë fitore, Lecce ngjitet në kuotën e 31 pikëve dhe ndjen më në fund shijen e fitores e cila mungonte prej 8 ndeshjesh. Nga ana tjetër, Udinese mbetet në kuotën e 42 pikëve. /oversport.tv

Foto: U.S. Lecce, Twitter