Mjafton Sala, Spezia kthehet te fitorja duke mposhtur minimalisht Torinon

Spezia ka marrë një fitore me shumë rëndësi kundër Torinos me rezultatin minimal 1-0. Goli i Jacopo Sala ka mjaftuar për ekipin e Motta-s, që me këto tre pikë ka lënë fundin e tabelës duke u ngjitur në vendin e 15-të.

Pjesa e parë nuk pati ritmin e duhur me të dyja ekipet që nuk patën shumë raste të rrezikshme. Lojtarët e skuadrave u përpoqën të depërtonin në mbrojtjen kundërshtarë, por pasimet e shumta të gabuara dhe hapësirat e pakta në rastet e tjera bënë që pjesa e parë të mbyllej pa gola dhe pa asnjë goditje në portë.

Në pjesën e dytë do të ishte Jacopo Sala që zhbllokoi rezultatin falë një supergoli nga distanca. Topi i numrit shtatë të Spezias u ndal në trekëndëshin e Milinkovic Savic duke shënuar kështu edhe golin e vetëm të takimit. Pjesa e mbetur e takimit ishte shumë e vakët, sidomos për Torinon që nuk regjistroi dot asnjë goditje në portë në të gjithë takimin.

SERIE A-JAVA E 12-TË
SPEZIA-TORINO 1-0
Shënues:
Sala 58’