Modric: Kupë bote çdo dy vite? Lojtarët dhe trajnerët nuk i pyesin kurrë

Mesfushori i Real Madrid, Luka Modric foli në një konferencë për shtyp në prag të sfidës kundër Shakhtar. Kroati u ndal te ideja e një Kupe Bote çdo dy vite, ndeshja kundër Shakhtar si dhe për fituesin e mundshëm të “Topit të artë”.

Modric-Casemiro-Kroos më mirë se Xavi-Busquets-Iniesta- “Nuk më pëlqejnë krahasimet. Ata bënë shumë për Spanjën dhe Barcelonën, ne bëmë shumë për Realin dhe ekipet tona kombëtare”.

“Topi i Artë”- “Ka disa kandidatë që mund ta fitojnë. Unë shpresoj ta fitojë Benzema. Ai e meriton atë për mënyrën se si luan dhe për karrierën e tij”.

Kupa e Botës çdo dy vite- “Botërori është i veçantë pikërisht sepse luhet çdo katër vjet. Unë nuk mendoj se mund të mbahet çdo dy vite. Ne lojtarëve nuk na kërkohet kurrë një mendim, njësoj si trajnerëve. Nuk e di çdo të ndodhë”.

Shakhtar- “Ata janë një ekip i fortë, por ne duam të luajmë një lojë të mirë dhe të fitojmë. Vitin e kaluar ata u treguan të fortë, na pret një sfidë e vështirë dhe shpresojmë të përfundojë ndryshe. Ata kanë ndryshuar trajner dhe e menaxhojnë më mirë topin”.

Kritikat- “Kur luan për Realin duhet t’i pranosh, duhet të mësohesh me to. Nuk na intereson, kemi besim në cilësitë tona dhe në faktin se do të kthehemi të luajmë siç dimë”. /oversport.tv