Moise Kean do të zëvendësojë të dëmtuarin Ciro Immobile për ndeshjen gjysmëfinale të Nations League, ndërsa tekniku Roberto Mancini këshillon Nicolò Zaniolo: “Duhet që t’i evitojë disa gjeste”.
Mesfushori i Romës nuk është grumbulluar nga kombëtarja Italiane për fazën finale të Nations League.
“Axurrët” do të luajnë kundër Spanjës në gjysmëfinale të mërkurën dhe sipas asaj që raporton “Corriere dello Sport”, në vend të të dëmtuarit Ciro Immobile do të grumbullohet sulmuesi i Juventusit, Moise Kean.
Zaniolo nuk është grumbulluar për sfidat e radhës dhe Mancini ka thënë se është një zgjedhje teknike, që nuk ka të bëjë me gjestin e lojtarit në fund të derbit kundër Lazios.
“Zgjedhja ime është teknike. Nuk është e vërtetë që Zaniolo mungon në kombëtare për shkak të gjestit që bëri në derbin e Romës. Por ai duhet të jetë më i kujdesshëm. Këto gabime bëhen kur je i ri, por një futbollist që ka një të ardhme të ndritur përpara nuk duhet t’i bëjë më”, ka përfunduar trajneri i Italisë, Roberto Mancini. / Oversport.tv