Monza thellon krizën e Interit në Serie A, Caldirola ndëshkon zikaltrit në “San Siro”

Monza thellon edhe më shumë krizën e Interit në Serie A dhe e mposht në San Siro me rezultatin minimal 1-0. Ka mjaftuar një gol me kokë i Caldirolas që të heshtë “San Siron” dhe t’i dhurojë tre pikë të tjera ekipit të Palladinos. Zikaltrit mbeten në vendin e pestë dhe nuk përfitojnë dot nga ndalesa e Milanit me Bolognan, ku kishin mundësinë të merrnin vendin e tretë, ndërsa nuk njohin asnjë fitore në kampionat në 5 ndeshjet e fundit.

Ndeshja nis e balancuar me të dyja ekipet që studiojnë kundërshtarin. Me kalimin e minuave, Interi shton ritmin dhe fillon të vendosë në vështirësi Monzën. Fillimisht është Correa e më pas Lukaku që nuk shfrytëzojnë si duhet mundësitë e tyre. Zikaltrit tregojnë gjithashtu se qëndron ende problemi për të shkuar drejt realizimit në Serie A, ndërsa nga ana tjetër Monza provon të ndëshkojë me kundërsulme.

Në pjesën e dytë, është Lukaku ai që ka dy mundësi të mira fillimisht me kokë e më pas me një goditje nga jashtë zone që përfundon jashtë kuadratit. Në minutën e 78-të është Caldirola që pas një harkimi nga këndorja godet fortë me kokë dhe mposht Onanën duke çuar shifrat në 1-0.

Gjithçka e vështirë tashmë për Interin që provon me të gjitha mënyrat të realizojë të paktën golin e baraspeshës. Lautaro Martinez ka dy mundësi të mira shënimi në fundin e takimit, por gabon në të dyja. Në fund sfida mbyllet me fitoren minimale të Monzës që ngjitet në kuotën e 38 pikëve, ndërsa Interi mbetet në vendin e pestë me 51 pikë. /oversport.tv

Foto: AC Monza, Twitter