Morata drejt Premier League, Milinkovic-Savic ka zgjedhur Juventusin

Me një sy në ndjekje të kryesuesve në Serinë A, në shtëpinë e Juventus ka nisur shpejt puna për të projektuar skuadrën për sezonin e ardhshëm. Largimi i Paulo Dybala është një gropë që kërkon zëvendësim, por ndërtimi i skuadrës bardhezi do të prekë shumë më tepër sesa vetëm një emër.

Gjasat janë që një tjetër largim të jetë ai i Alvaro Morata. Për momentin, ekziston mundësia që bardhezinjtë të mos e paguajnë shifrën prej 35 milionë eurosh për të blerë kartonin e tij, pasi kanë paguar dy sezone nga 10 milionë euro për huazimin e spanjollit.

Për këtë të fundit, në Angli bëjnë me dije se Arsenal do të ishte i gatshëm për të kënaqur Atletiko Madrid dhe të marrë shërbimet e qendërsulmuesit. Sa i përket emrave në hyrje, në kampin bardhezi të dhënat janë se Milinkovic Savic preferon Juventusin si hap të radhës në karrierën e tij.

Është “Il Messagero”, që pasi shton se Real Madrid është ëndrra e madhe e mesfushorit, Juventus do të ishte gjithashtu një zgjedhje e preferuar duke qenë se do ta afronte me vëllain e tij, Vanja, në Torino.  Gjithashtu në skuadër do të ishte me mikun e tij më të mirë, Dusan Vlahovic.

Kartoni i tij vlerësohet rreth 80 milionë euro, por Juventus mund ta reduktonte duke përfshirë në tratativa me Lacion emra si Rovela, Luka Pellegrini dhe Rugani. Edhe pse për këtë, duhet bindur Lotito, i cili preferon pagesë kesh për shërbimet e Milinkovic Savic. Për këtë të fundit, interesimet e “big”-ëve nuk mungojnë, ku në listë janë edhe PSG e Manchester United. / oversport.tv