Moratti: 4 skuadrat e para në renditje të luajnë në të njëjtën ditë dhe orar

Ish-presidenti i Interit, Massimo Moratti ka dhënë një intervistë për “Radio Rai” ku ka folur për Interin, Milanin dhe garën për titullin kampion këtë sezon në kampionatin italian:

“Do të ishte më interesante dhe më e drejtë nëse 4 skuadrat e para në renditje do të luanin në të njëjtën ditë dhe të njëjtin orar. Interi është padron i fatit të vet, por kampionati ka treguar se çdo të dielë del në skenë diçka e re.

Zikaltërit bënë atë që duhej, arritën fitoren duke luajtur shumë mirë. Mungojnë edhe pak ndeshje dhe është e qartë që gabimet janë të ndaluara për secilin ekip. Më shqetësojnë ndeshjet që në letër duken më të lehta. Shpresoj që Interi të vazhdojë të qëndrojë i përqendruar”, ka thënë Moratti.

Ish-presidenti zikaltër ka komentuar edhe rivalët e Milanit: “Këtë vit janë paraqitur shumë mirë dhe Pioli meriton fjalët më të mira. Tani duket se ka humbur pak ritmin, por mund të ndodhë një periudhë e tillë. Do të shohim nëse e ka forcën për tu rikthyer te fitorja. Dje sulmi kuqezi nuk ishte në nivelin e duhur.

Pamë një ndeshje të madhe në Angli dje, ritmi ishte krejtësisht ndryshe dhe kjo falë cilësisë së lojtarëve. Skuadrat tona janë në krizë, por nuk kanë shfaqur maksimumin në fushë”, ka thënë mes të tjerash Moratti. / Oversport.tv

Foto: Inter Facebook