Moratti i del në mbrojtje Inzaghit: Trajner i shkëlqyer, nuk do ta shkarkoja

Për çështjen aktuale në shtëpinë e Interit se a duhet të shkarkohet trajneri Simone Inzaghi apo jo, ka folur edhe Massimo Moratti. Ish-Presidenti legjendar i zikaltërve ka mbështetur teknikun aktual të klubit, duke u shprehur se nëse do të ishte për të, ai do të vazhdonte me Inzaghin.

“Problemi është më i gjerë, nëse ka të bëjë me marrëdhëniet e brendshme mes lojtarëve dhe trajnerit, siç lexojmë. Shpresojmë që jo, sepse besoj se Inzaghi është një djalë shumë i mirë dhe një trajner i shkëlqyer. Skuadra është pak a shumë e njëjtë me vitin e kaluar.

Mos më pyesni se çfarë do të bëja, sepse kam ndërruar shumë trajnerë… Mendimi im nuk është i besueshëm. Seriozisht: Po, do të vazhdoja me të, edhe sepse deri më tani janë luajtur vetëm disa ndeshje. Tre humbje nuk janë pak, është e vërtetë, por do të insistoja me një trajner që mendoj se tashmë e ka treguar veten që është një trajner i zoti”, u shpreh Moratti.

Po ashtu, në intervistën për “Tuttomercatoweb”, ish-presidenti zikaltër komentoi edhe largimin e Ivan Perisic, duke u shprehur se kroati ishte një lojtar i nënvlerësuar dhe largimi i tij ishte një goditje e rëndë për ekipin./Oversport.tv

Foto: Inter Facebook