Moratti: Penalltia shkatërroi ndeshjen, Interit i ka humbur besimi

Massimo Moratti komenton kështu përfundimin e ndeshjes kundër Juventusit dhe episodin e kontestuar Dumfries-Alex Sandro:

“Nuk e di nëse ishte penallti, situata e djeshme shkatërroi një ndeshje nga pikëpamja teknike. Gjyqtarët në fushë vazhdojnë lojën dhe më pas vjen një ndëshkim i papritur”.

Ish-presidenti i zikaltërve vazhdon: “Ndëshkimi mund të jetë i drejtë por të luash me dy veta më pak mund të ndryshojë totalisht rrjedhën e ndeshjes, po ashtu si penalltia e mbrëmshme që ndryshoi ndeshjen. Nuk mu duk një penallti, ku duhej ndërhyrja e VAR-it më pas, tani kemi një mal me penallti nga mëngjesi deri në darkë”.

“Besoj se Interi është shumë ndryshe krahasuar me një vit më parë, të jep përshtypjen e një skuadre që gëzon dhe luan mirë, por nuk ka të njëjtin besim që kishte sezonin e kaluar.

Ndryshimi mes Contes dhe Inzaghit? Conte tregoi se di të fitojë, Inzaghi është krejtësisht ndryshe. Ka marrë një përgjegjësi të madhe”, ka vazhduar Moratti.

Rruga drejt titullit komplikohet, ndërsa në 7 nëntor luhet derbi kundër Milanit: “Diferenca e pikëve me skuadrat e kreut, të bëjnë të kuptosh se rruga për të fituar titullin do të jetë e vështirë.

Derbi do të jetë ndeshja e kthesës? Interi në pjesën e parë kundër Juventusit bëri një ndeshje të mrekullueshme. Nëse arrin të shënojë më shumë, mund të bëjë paraqitje shumë të mira. Është shumë e rëndësishme që të fitohet derbi”, ka përfunduar ish-presidenti i Interit. / Oversport.tv