“Mos na krahasoni me vjet”, çfarë fshihet pas deklaratës së Orges Shehit

Këtë Tiranë mos e krahasoni me Tiranën e vitit të kaluar. Kjo ishte deklarata e Orges Shehit pas humbjes që ekipi i tij pësoi kundër Kukësit në transfertë. Por çfarë fshihet pas saj?

Numri një i bardhebluve sigurisht që dëshiron të ulë euforinë në kampin e kampionëve. Tirana lakohet në media si një ekip që ka bërë merkato të madhe me afrimin e Lushkjes dhe Abazajt, por trajneri thotë që nuk duhen etiketuar si super ekip. Kjo gjë bëhet për të larguar edhe presionin nga skuadra e tij, që shihet si një nga pretendentet kryesore për titullin kampion. Sigurisht që nuk është e lehtë të fitosh trofe duke shitur lojtarët më të mirë. Ndodhi në verë me Seferin, ndërsa edhe tani në dimër me Xhixhën. Ndoshta deklarata nuk ka asnjë interpretim, por thjesht trajneri e thotë se kjo skuadër nuk është në lartësinë e ekipit të kaluar.

Por ka edhe një të vërtetë në atë që thotë Shehi, që bazohet me shifra dhe në statistika. Nëse krahasojmë ecurinë e Tiranës në sezonin aktual me atë të vitit të kaluar, bardhebluve iu mungojnë shumë pikë. Sot kanë 34, ndërsa pas 19 javësh vjet kishin 43 pikë.

3 fitore më pak sesa vjet. Kjo është e dhëna më befasuese. Sa iu përket golave të shënuar dhe atyre të fituar, Tirana është thuajse në të njëjtat shifra. I mungojnë 5 gola nga vjet dhe ka pësuar 1 më shumë.

Sigurisht që kjo ecuri e këtij sezoni shpjegohet edhe me forcën e rivalëve dhe prezencën e skuadrave që kanë marrë pikë në çdo fushë. / Oversport.tv