Mosconi Cup sërish i Europës, Eklent Kaçi feston kundër “Team USA”

Mosconi Cup mbetet në Europë sërish, pasi Team Europe mposhti 11-6 Team USA në ditën e katërt. Një turne fantastik në disiplinën 9-ball në bilardo, i organizuar këtë vit në Alexandra Palace në Londër.

Team Europe e fiton për të dytin vit radhazi turneun më të rëndësishëm të bilardos dhe për të katërtin sezon nuk mungoi as bilardisti shqiptar, Eklent Kaçi, kampion bote vitin e fundit në disiplinën 10-ball.

Gjithçka u mbyll mbrëmjen e sotme me duelin Joshua Filler-Shane Van Boening, që shkoi në “hill hill” dhe u fitua nga gjermani, por MVP i Mosconi Cup për këtë sezon doli sërish Jason Shaw.

 

View this post on Instagram

 

A post shared by Matchroom Pool (@matchroompool)

Kaçi në ditën e parë, që u mbyll në barazim 2-2, luajti krah numrit një të botë, Albin Ouschan, kundër dyshes së Amerikës, Styer-Reinhold. Një faull kur ishte 4-4 ndryshoi fatet e ndeshjes dhe dyshja e Team Europe u mundën 4-5.

Dita e dytë foli për Team USA, por Eklent Kaçi dhe David Alcaide nuk ia lejuan të krijonin diferencë në ndeshjen e fundit të ditës, pasi mposhtën 5-4 Jones dhe Reinhold.

Dita e mbyll në favor të Amerikës, 5-4, kurse ditë e tretë Team Europe ishte fantastike dhe i fitoi të gjitha ndeshjet e çoi gjithçka në 9-5. Eklent Kaçi regjistroi një nga fitoret më fantastike, kundër Shane Van Boening.

 

View this post on Instagram

 

A post shared by Matchroom Pool (@matchroompool)

Ai duel e çorientoi bilardistin amerikan që gaboi shumë në ndeshjet e radhës, pasi me Kaçin e kishte gjithçka në dorë dhe u mposht 3-5. Në ditën e katërt Team Europe kishte nevojë për vetëm dy fitore.

Një e morën të zgjedhurit e fansave, Jason Shaw e Joshua Filler, kundër dyshes Woodward-Van Boening. 5-4 përfundoi për dyshen europiane. Më pas “Sy shqiponja” Shaw nuk e mbylli dot garën, pasi u mund 2-5 nga Woodward.

Më pas radhën e pati Joshua Filler, ish-numri një i botës, që kundër Shane Van Boening triumfoi në një ndeshje “thriller” me rezultatin 5-4. Festë e madhe për Team Europe, që entuziazmoi fansat në Alexandra Palace. / oversport.tv