Mourinho e ka me gjyqtarin: Kartoni i kuq i Pellegrinit ishte qesharak

Jose Mourinho gëzon pas fitores minimale të firmosur nga Abraham në stadiumin “Olimpico” përballë Udineses: “Ndeshja pas një humbjeje është gjithmonë më e vështira, por në 30 minutat e para të takimit luajtëm shumë mirë, kishim kontrollin total të lojës.

Ishte ndoshta 30 minutëshi më i mirë që kemi zhvilluar që kur kam ardhur këtu. Në pjesën e dytë vuajtëm pak reagimin e tyre, por u treguam një skuadër, u bashkuam dhe nuk kishim asnjë problem. Tre pikë mëse të merituara”-ka thënë tekniku portugez i Romës.

“Pellegrini? Ka mekanizma ligjorë për ta lejuar të luajë dhe duhet ta provojmë, sepse kartoni i dytë i verdhë nuk ishte. Një karton i kuq qesharak. Futbolli mbetet futboll, nuk mund të bëhet një sport pa kontakt fizik”-ka vazhduar tekniku, duke komentuar daljen me karton të kuq të kapitenit të skuadrës në minutat e fundit të ndeshjes.

“Çfarë mungon për të shkuar në nivelin e kryesuesve? Më mungon vetëm koha, më shumë nuk mund të them. Jam i përqëndruar që të rris skuadrën, në nivel organizativ punojmë shumë mire, por kemi nevojë akoma për kohë.

Koha do të sjellë diçka më shumë. Roma është një klub që sheh të tashmen, por edhe të ardhmen, prandaj tifozët duhet të kenë durim dhe të vazhdojnë të na mbështesin siç bënë edhe në ndeshjen kundër Udineses. Treguan se janë në krahun tonë edhe pas një humbjeje”-ka përfunduar Jose Mourinho. /Oversport.tv