Mourinho gjen mesfushorin, Roma bën pazar në Gjermani

Kërkesa e Mourinhon për një mesfushor verën e kaluar nuk u realizua dot nga drejtuesit e Romës. Edhe pse lëvizja e Granit Xhakës nga Arsenal u konsiderua si diçka e sigurt, gjithçka ndryshoi më vonë dhe Roma nuk arriti dot ta transferonte mesfushorin.

Megjithatë drejtuesit e verdhekuqve janë vënë në lëvizje për t’i siguruar ekipit të Mourinho një mesfushor dhe emri vjen nga Gjermania. Ai është Denis Zakaria, i cili luan për Borussia Monchengladbach.

Drejtuesit e Romës po këmbëngulin shumë te lojtari në mënyrë që ta transferojnë atë sa më parë. Ata po përpiqen të përfitojnë nga situata, pasi kontrata e lojtarit përfundon në vitin 2022.

Përsa i përket strategjisë që do të përdorin, Roma po mendon të ofrojë bonuse në rast se kapet zona Champions si dhe një përqindje në momentin që lojtari do të shitet te një ekip tjetër.

Megjithatë, klubit kryeqytetas do t’i duhet të presë sesionin dimëror të merkatos për të nisur zyrtarisht negociatat. /oversport.tv