Roma pësoi humbjen e parë sonte kundër Hellas Verona me rezultatin 2-3 dhe trajneri Jose Mourinho ende nuk e di se çfarë ndodhi me skuadrën e tij. Pas duelit të zhvilluar në fushë, portugezi për DAZ deklaroi:
“E dija që Verona ka shumë cilësi dhe do të ishte e vështirë të luaje kundër tyre, veçanërisht pas ndryshimit të trajnerit që sjell një reagim në aspektin psikologjik. Kjo u pa sonte.
Stili i lojës së Tudor është i ngjashëm me atë që Hellas Verona zhvillonte me Ivan Juric në stol, ndaj edhe për lojtarët nuk ishte e vështirë të përshtateshin me të.
Ne u përpoqëm dhe për këtë nuk mund të ankohem, por kemi humbur shumë duele individuale. Hellas pati më shumë intensitet dhe do të më duhen disa orë të shikoj videon e ndeshjes për të kuptuar atë që ndodhi në fushë.
Shumë situata nuk i interpretuam si duhet. Zaniolo nuk kishte për detyrë të shtynte përpara, por duhet të shkonte thellë dhe të mbulonte Karsdorp.
Ishte e qartë që Verona do të reagonte, pasi ishte një ndeshje e hapur. Personalisht nuk surprizohem aspak. Ne duhet të përballemi më mirë me momentet e vështira, sepse nuk mund të kemi gjithmonë lojën nën kontroll”. / oversport.tv