Në vigjilje të ndeshjes së parë të grupeve të Konferencë Ligës kundër Cska Sofias, Jose Mourinho kërkon të ulë entuziazmin: “5 fitore nuk janë 50. Nuk ka arsye për të qënë super optimist. Tifozët janë të lumtur, por duhet të jenë të ekuilibruar. Proçesi është vetëm në fillim”-ka thënë tekniku i Romës.
Në lidhje me objektivat portugezi ka thënë: “Jemi shumë larg fitimit të këtij turneu, por do ta provojmë. Objektivi i parë është fitimi i grupit”.
Fillimi shumë i mirë i sezonit nuk ndryshon mendimet e “Special One”. “Rezultatet pozitive janë të rëndësishme, ndihmojnë për zhvillimin e skuadrës, njërëzit dhe tifozët janë të lumtur, por edhe ata duhet të jenë të ekuilibruar, në sensin që duhet të kuptojnë se ky projekt ka vetëm 2 muaj që ka filluar. Të qëndrojmë të qetë, fakti se stadiumi është gjithmonë plot është diçka e bukur dhe shtyn autoritetet të kuptojnë se njerëzit duan ti kthehen normalitetit”.
Kundër bullgarëve do të ketë rotacion. “Do të bëj ndryshime në skuadër, krahasuar me atë që luajti ndeshjen e fundit. E rëndësishme është të ruajmë strukturën, pasi është i rëndësishëm një rezultat pozitiv. Calafiori do të luajë në vend të Vinës. Edhe një qendërmbrojtës do ta ndryshoj. Zaniolo është në 100% të formës”.
Në lidhje me formën e skuadrës portugezi shprehet: “Nuk jemi një skuadër perfekte, ka akoma punë për të bërë. Kemi bërë gabime, jemi një skuadër e përulur, të vetëdijshëm për problemet tona. Ndeshja e nesërme nuk është me eleminim direkt, do të ketë takime të tjera në këtë grup, që synojmë ta fitojmë. Historia e kohëve të fundit thotë se Roma ka arritur rezultate të mira përballë CSKA Sofias”. /Oversport.tv