Mourinho kërkon një mbrojtës, Roma shënjestron lojtarin e Feyenoordit

Roma ka projektuar 2 blerje në janar, por idealja do të ishte të bëheshin 3 goditje në merkato. Tiago Pinto dhe Mourinho, po vlerësojnë mundësinë që të blejnë edhe një qendërmbrojtës, jo “low cost” apo hua deri në qershor, por një blerje që të jetë pjesë e rëndësishme e projektit tre vjeçar të “Special One”.

Smalling dhe Kumbulla nuk japin garanci, njëri nga ana fizike dhe tjetri nga ana teknike. Emri që pëlqehet, dhe që mund të përballohet ekonomikisht, është ai i Marcos Senesit.

24-vjeçari që luan me këmbën e majtë është profili ideal i lojtari që kërkon Roma. Për më tepër, Senesit i skadon kontrata pas një viti me Feyenoordin, që në vitin 2019 pagoi 7 milion euro për të blerë kartonin e tij.

Holandezët nuk mund të pretendojnë 20 milionët e kërkuara në merkaton e kaluar, por duhet të kënaqen me rreth 10 milion, që mund të paguhen edhe me këste.

Nëse Torino do të zyrtarizonte ofertën për Kumbullën, atëherë do të kthehej në domosdoshmëri blerja e mbrojtësit argjentinas të Feyenoordit. / Oversport.tv