Mourinho këshillon Xhakën: Bëj vaksinën anticovid dhe je i sigurtë

Granit Xhaka ka rezultuar së fundmi pozitiv me Coronavirus dhe si rrjedhojë nuk mund të zbresi në fushën e blertë me Zvicrën e tij në ndeshjet kualifikuese për Kupën e Botës 2022.

Mes mesazheve të shumta të ardhura në drejtim të mesfushorit të Arsenalit, ka spikatur ai i Jose Mourinhos.

Trajneri i Romës, i cili ishte shumë pranë transferimit të zvicerianit në kryeqytetin italian gjatë sesionit të fundit të merkatos ka komentuar foton e Xhakës në Instagram, duke shkruar: “Bëj vaksinën dhe ndjehu i sigurtë”.

Duket se trajneri portugez i referohet mesazhit të dhënë nga zyra për shtyp e kombëtares zviceriane, e cila zbuloi se mesfushori kishte vendosur të mos vaksinohej.

Në fakt, të gjitha skuadrat e Premier League kanë probleme me vaksinimin e lojtarëve, pasi më shumë se 30% e futbollistëve që luajnë në ishull, refuzojnë të bëjnë vaksinën anti-Covid. /Oversport.tv