Mourinho: Kumbulla më i miri në fushë, qëndroi i përulur edhe pas kritikave

Roma fitoi kundër skuadrës së Cagliari me rezultatin 1-0 dhe trajneri Jose Mourinho u shfaq i kënaqur me rezultatin. Ai foli për lojën e skuadrës së tij, afrimin e fundit Sergio Oliviera që shënoi golin e vetëm dhe vlerësoi maksimalisht mbrojtësin e kombëtares shqiptare, Marash Kumbullën.

“Fitorja është e rëndësishme. Kaluam në epërsi, dominuam dhe rrezikuam të pësojmë golin për 1-1. Rui Patricio bëri një pritje të shkëlqyer, por ai rast nuk erdhi si rezultat i lojës. Ne e kontrolluam atë, dominuam me dhe pa top.

Rëndësi ka që fituam, ishte një ndeshje që mund të përfundonte katër ose pesë me zero. E ndjeva presionin në fund, edhe pse kur luan kështu zakonisht nuk ndodh. Mund të linim pikë pa pritjen e Rui Patricio”, tha fillimisht Mourinho.

Më pas ai foli edhe për mesfushorin portugez që shënoi golin me penallti: “ Kemi nevojë për më shumë lojtarë si Sergio Olivieira, lojtarë me përvojë që dinë çfarë të bëjnë në momente të caktuara. Nuk është regjisor, nuk është as Pirlo as Pjanic, por një lojtar për të cilin ka nevojë skuadra jonë. Maitland-Niles gjithashtu na ndihmon, pasi kështu kemi disa opsione”.

Për mbrojtësin e kombëtares shqiptare, Mourinho u shpreh: “Kumbulla ishte më i miri në fushë. Ai ka bërë një ndeshje fantastike dhe është një kënaqësi e madhe sepse në një moment të sezonit ka pasur vështirësi. Kam qenë negativ në reagime, por ai ka qenë gjithmonë i përulur dhe është rritur. Në mbrojtjen me tre lojtarë ai ndihet më i qetë dhe luajti mirë, sikurse edhe Mancini”. / oversport.tv