Mourinho mezi pret të luajë derbin: Në ndeshje të tilla lojtarët motivohen vetë

Jose Mourinho do të luajë derbin e tij të 119-të në karrierë ditën e sotme, por portugezi nuk i fsheh emocionet në prag të derbit Lazio-Roma që do të luhet sot në orën 18.00.

“Ndeshjet derbi janë ndeshje të bukura për t’u luajtur dhe nuk e shqetësojnë shumë një trajner, pasi nuk ke nevojë të motivosh lojtarët apo të jesh më i vëmendshëm me lojtarët më pak të përqëndruar.

Derbet janë ndeshje të bukura për t’u luajtur dhe për t’u përgatitur. A është aventura me Romën sfida më e rëndësishme e karrierës sime? Është një sfidë ndryshe. Kur fola për herë të parë me drejtuesit nuk pata dyshime.

E dimë ku jemi dhe ku duam të arrijmë. Kam stërvitur skuadra që kanë patur ndonjë dyshim, ndërsa këtu nuk ka dyshime. Për këtë arsye nuk është sfida më e vështirë”-ka thënë tekniku portugez i Romës.

Mourinho kërkon dy gjëra nga skuadra e tij në ndeshjen e sotme: “Të luajnë për të fituar dhe të dalë nga fusha me përshtypjen që djemtë dhanë maksimumin.

E dimë që nuk mund të fitojmë gjithmonë, ata kanë të njëjtat ambicie, por dua që skuadra ime të luajë gjithmonë me mentalitet fituesi”-ka përfunduar trajneri i skuadrës verdhekuqe. /Oversport.tv