Mourinho nis spastrimet, 5 lojtarë mund të largohen që në janar

Nëntë rezervat e hedhura në fushën e lojës që nga minuta e parë kundër Bodo Glimt kanë zhgënjyer, duke zhvilluar një ndeshje shumë të dobët, që përfundoi me humbjen turpëruese 6-1.

Shumë lojtarë nën akuzë, lojtarë që luanin si titullarë me Fonsecan, dhe që tashmë rrezikojnë të mos zbresin më në fushën e blertë.

Një mundësi e pashfrytëzuar në Conference League dhe tashmë për Mourinhon këta lojtarë janë jashtë projektit të Romës. Trajneri portugez është shumë i mërzitur me këta lojtarë, që i ka parë të ecin në fushë dhe jo të sakrifikojnë dhe të impenjohen maksimalisht, siç u kishte thënë në dhomat e zhveshjes.

Borja Mayoral, Villar, Diawara, Reynolds dhe Kumbulla kanë qenë lojtarët më të dobët për trajnerin e Romës. E ardhmja e këtyre futbollistëve është larg kryeqytetit italian dhe që në merkaton e janarit mund të nxirren në shitje.

Me përjashtim të Kumbullës, që do të qëndrojë për shkak se ka pak mbrojtës qendre dhe Smalling ka probleme fizike. Edhe Calafiori dhe Carles Perez e kanë në dyshim të ardhmen e tyre tek skuadra e Romës. /Oversport.tv