Mourinho: Nuk kemi luksin të presim lojtarët që të arrijnë nivelin e duhur

Suksesi në ndeshjen e parë të kampionatit në transfertën kundër Salernitanës ka shtuar entuziazmin në kampin e Romës. Një zjarr që u ndez pas triumfit në Conference League sezonin e kaluar dhe që u rrit akoma më shumë me blerjet e bëra në merkaton e verës.

Verdhekuqtë do të debutojnë në shtëpi në Serie A përballë Cremoneses në një “Olimpico” të mbushur plot e përplot për ndeshjen e 9-të radhazi: “Është diçka e pabesueshme, për ne është një fitore e madhe dhe diçka fantastike për futbollin italian”, ka thënë Mourinho.

Pavarësisht blerjeve të Wijnaldum, Matic, Dybala dhe Celik, portugezi kërkon edhe një sforco në merkato nga drejtuesit e klubit. Belotti shihet si zëvendësuesi ideal i Abraham.

“Në Salerno ndërrova 2 mesfushorë me 2 sulmues për të fituar ndeshjen dhe kur në pankinë nuk ke lojtarë në nivelin e titullarëve, mundohesh të bësh çfarë të mundësh. Nuk mund të presim që Felix dhe Shomurodov të shkojnë në nivelin e titullarëve, nuk e kemi këtë luks.

Belotti? Nëse është e vërtetë që do të vijë, atëherë më pëlqen kjo ndjesi”, ka thënë Mourinho. / Oversport.tv