Jose Mourinho nuk e pranon humbjen në derbi kundër Lazios. “Special One”, në deklaratën e tij për DAZN, u shpreh se arbitri e prishi ndeshjen. Fillimisht portugezi u pyet mbi fjalët që u tha futbollistëve, kur i grumbulloi në fushë pas përfundimit të derbit.
“Ajo që u thashë lojtarëve në fushë mbetet mes nesh. Doja të flisja menjëherë me djemtë, me të njëjtin intimitet si në dhomat e zhveshjes. Më lejoni që si fillim të them diçka pozitive: futbolli italian është përmirësuar shumë nga 10 vite më parë. Cilësia e futbollit, loja sulmues, dëshira për të fituar, të gjitha janë përmirësuar”.
Më tej Mourinho shtoi: “Fatkeqësisht, një lojë fantastike u prish nga gjyqatri dhe VAR. Ata nuk ishin në nivelin e duhur për këtë ndeshje. Goli i dytë mund të ishte 1-1, por shkoi 2-0. Kartoni i dytë i verdhë për Lucas Leiva ishte i rëndësishëm gjithashtu, pasi të luash kundër 10 vetëve bën diferencë. Pellegrini mori të kuq, sot Leiva nuk mori asgjë”.
“Mendoj se skuadra ime ishte më e mira në fushë. Kur pëson tre gola, gabon, por dy golat e fundit i pësuam nga kundërsulme dhe i dyti ishte në një situatë ku ne prisnim penallti në favor dhe jo gol në portën tonë. Dominuam, i krijuam shumë probleme Lazios. Ata i kontrolluan minutat e fundit siç deshën, pasi arbitri ua lejoi diçka të tillë.
“Problemet e mbrojtjes shqetësim? Jo! Do shqetësohesha nëse nuk do të përpiqeshim të fitonim ndeshjen, edhe pas vështirësive. Do shqetësohesha nëse do vinim këtu dhe Lazio do na dominonte 90 minuta. Ata na shënuan me kundërsulme.
Një skuadër që po humbet duhet të marrë përsipër rreziqe dhe ne e bëmë. I lamë hapësira Milinkovic, por edhe reaguam. E harruam shpejt gabimin dhe u përpoqëm të krijojmë gabime. Meritonim një rezultat më të mirë dhe gjyqtari ishte vendimtar në këtë ndeshje”. / Oversport.tv