Pas 6 fitoreve radhazi, në shtëpinë e Veronës në fundjavë, erdhi ndalesa e parë e Mourinhos në krye të pankinës së Romës.
Në prag të ndeshjes së nesërme kundër Udineses, tekniku portugez ka thënë në një konferencë për shtyp: “Nuk kalova në eufori kur fituam 3 ndeshjet e para të kampionatit dhe 3 ndeshjet e para në Europa Ligë, prandaj nuk them se kemi probleme të mëdha aktualisht.
Humbëm një ndeshje, pasi nuk luajtëm mirë. S’kam më çfarë t’iu them juve gazetarëve. Kurse lojtarëve të mi sigurisht që po. Analizuam ndeshjen në detaje, për të parë përpara dhe të mos mendojmë më për Veronën, sepse ato pikë i humbëm dhe nuk mund t’i rikuperojmë më”-ka thënë trajneri i Romës.
Më tej portugezi ka folur për skuadrën dhe kundërshtarin e radhës: “Nuk duhet të dëshpërohemi se humbëm një ndeshje. Duhet ta transformojmë mërzitjen nga humbja në motivim. Në lini të qetë.
Udinese është një skuadër solide, fizike dhe me shumë cilësi. Do të jetë një ndeshje e vështirë por do të bëjmë maksimumin që të rikthehemi te fitorja”-ka përfunduar Jose Mourinho, që vazhdon të theksojë se ka një projekt afatgjatë dhe duhet kohë që skuadra të shfaqë më të mirën e saj. /Oversport.tv