Mposhti Milanin kryesues, Italiano: Interi është më i kompletuar për titullin

Fiorentina ndali Milanin në një ndeshje që kuqezinjtë tentuan deri në fund të dilnin me pikë. Vincenzo Italiano, i ndalur para mediave këtë fundjavë, ka komentuar pikërisht luftën për titull në Serie A.

“Inter është skuadra më e fortë dhe më e kompletuar. Mendoj se edhe këtë sezon mund t’ia dalë që të triumfojë. Fiorentina? Rrugën e kemi shtruar dhe mendoj se duhet të vazhdojmë kështu me këto ritme. Le të gëzojmë këtë moment. Ky është shpirti i duhur që pres nga skuadra”, ka thënë fillimisht trajneri i vjollcëve për “Radio Anch’io Sport”.

Trajneri i Fiorentinës po i gëzohet më së shumti formës që po tregon sulmuesi Vlahovic. 21-vjeçari, me 10 gola dhe dy asiste në 13 ndeshje, ka qenë një udhëheqës i vërtetë i vjollcëve këtë edicion. “Situata e Vlahovic ka nisur që në merkaton e verës.

Nuk e di se si do të përfundojë. Për momentin, është i përqendruar te Fiorentina. Nuk mund të përcaktoj se çfarë d të ndodhë me të, por është një djalosh i projektuar për një karrierë të madhe. Për momentin, le ta shijojmë formën e tij”, ka përfunduar Italiano. /oversport.tv