Mrekullitë ndodhin në futboll, Partizani përmbys Teutën në fund

Pretendime për penallti, kartonë të kuq për Albion Markun e Albano Aleksin, shumë shi dhe dy gola në fund që Partizani të festonte fitoren kundër Teutës me rezultatin 2-1. Heroi ishte Tedi Cara, ndërsa më parë goli të Gorgiev i ishte përgjigjur Stenio Junior.

Shumë emocione dhe për “demat” kjo është fitorja e dytë në kampionat, pas asaj të arritur kundër Kastriotit dy javë më parë. Katapultim në renditje për Partizanin, që tashmë ka vetëm një pikë më pak se Teuta kampione në fuqi.

Durrsakët shënuan të parët me anë të sulmuesit Gorgiev, i cili nuk fali pas një vertikalizimi të kapitenit Sherif Kallaku. U deshën disa minuta që goli të konfirmohej, për shkak të dyshimeve për pozicion jashtë loje.

Partizani u mundua të barazonte dhe rrezikoi në një moment me Esat Malën, i cili nga distanca gjuajti fort dhe e çoi topin pranë shtyllës pingule. 45 minutat e para të lojës u mbyllën me epërsinë e Teutës.

Në fillim të pjesës së dytë Lorenco Vila u shfaq rrezikshëm dhe mund të kishte shënuar. Durrsakët disa minuta ishin më të rrezikshëm. Në minutën e 63-të pati një prekje të topit me dorë nga Idrizaj, por kryesori Bajramaj, edhe pas konsultimit me VAR, vendosi të vazhdonte lojën me goditje këndi.

Minuta e 89-të solli penalltinë që i hoqi fitoren nga duart Teutës. Acquah e preku topin me dorë në zonë dhe nuk kishte dyshime. Stenio Junior nuk fali dhe e çoi topin në rrjetë. Asgjë nuk kishte mbaruar, pasi Tedi Cara në minutën e fundit shënoi edhe golin që përmbysi gjithçka në favor të Partizanit.

ABISSNET SUPERIORE – JAVA 10

Partizani-Teuta 2-1
Shënues:
Stenio Junior (pen.) 90’, Cara 90+6’ / Gorgiev 26’

/ oversport.tv