Muça: Sot nuk ishte Tirana që jemi mësuar të shohim, falë Bekajt u evitua një humbje më e thellë

Ish-kapiteni i Tiranës, Gentian Muça, aktualisht në rolin e opinionistit dhe emisionin “Ti Bo Gol” në Oversport ka analizuar humbjen e bardhebluve në “Air Albania” përballë Teutës.

“Sot nuk ishte Tirana, që jemi mësuar të shohim. Nuk arriti të prodhojë atë që kemi parë në ndeshjet e fundit. Tirana vuajti shumë befasinë e skuadrës durrsake dhe hezitimi në momente të caktuara solli edhe këtë rezultat. Bardheblutë e zotëruan lojën, por nuk arritën që të finalizonin si duhet aksionet e tyre. Mendoj që sot kanë marrë notë kaluese vetëm Pergjoni, Bekaj dhe dy zëvendësuesit në pjesën e dytë, qëdhanë një shkëndijë, por ishin shumë pak për një Tiranë, që duhet të bënte më shumë.

Përveçse është skuadra kampione, është një favorite kryesore për fitimin e titullit. Një hap fals sot ishte një asist për rivalët, pasi mos harrojmë që jemi në javën në prag të derbit. Shehi është i bindur për zgjedhjet e tij dhe përgjithësisht janë të goditura. Por sot mendoj që e gjithë skuadra nuk ishte në një ditë të mirë. Mbrojtja nuk ishte në nivelin e duhur sot dhe kundërshtari arriti që të rrezikonte falë shpejtësisë së sulmuesve. Nëse nuk do të ishte Bekaj Tirana do të pësonte edhe më tepër”, tha Muça. / Oversport.tv