Mund të bëhej trajneri më i paguar në botë, Mourinho refuzon milionat nga Arabia Saudite

José Mourinho i thotë sërish jo një aventure në Arabinë Saudite. Trajneri portugez, pasi refuzoi në mes të qershorit propozimin e Al-Ahli, ka bërë të njëjtën gjë edhe me ofertën faraonike të Al-Hilal, duke refuzuar një pagë prej 30 milionë eurosh në vit.

Kane qenë mediat angleze ato që kanë zbuluar se klubi më i rëndësishëm në Arabinë Saudite, ka kërkuar ti besojë stolin “Special One” dhe pasi ka marrë refuzimin e portugezit është hedhur në drejtim të Massimiliano Allegri, por duke i bërë këtij të fundit një ofertë më të ulët.

Nëse do të kishte pranuar ofertën e Al-Hilal, Mourinho do të ishte bërë trajneri më i paguar në botë, pasi në Arabi nuk tatohen të ardhurat personale (edhe Diego Simeone merr mbi 30 milionë euro pagë, por tatohet). Portugezi do të vazhdojë projektin e nisur dy vite më parë në Romë. / Oversport.tv