Mungojnë emocionet në “Olimpico”, Atalanta e cunguar merr 1 pikë në Romë

Ndonëse vinte në “Olimpico” me plot 9 mungesa, Atalanta ka arritur që të marrë një pikë në kryeqytet përballë Lazios. Kanë munguar emocionet dhe rastet e pastra për shënim, në sfidën më të rëndësishme të ditës së shtunë, që u transmetua live dhe ekskluzivisht në Oversport dhe Tibo.

Skuadrat kanë studiuar njëra-tjetrën në pjesën e parë, ndërsa në fraksionin e dytë Lazio është përpjekur që të shënojë golin e fitores, por shtylla i ka mohuar festën Zaccagnit.

Të dyja skuadrat marrin nga një pikë dhe duket se ky barazim kënaq rivalët, që luftojnë për zonën europiane.

Pjesa e parë ka qenë në ekuilibër perfekt dh pa shumë raste për shënim. Vetëm 4 gjuajtje në portë ka patur në pjesën e parë në “Olimpico” dhe këtë sezon vetëm në sfidën Cagliari-Genoa porta është goditur më pak në 45 minutat e para (2 herë).

Lazio dhe Atalanta kanë respektuar shumë njëra-tjetrën dhe fraksioni i parë i lojës ka dhuruar shumë pak emocione. Zikaltërit kanë tentuar me Pezzella dhe Scalvini, ndërsa Milinkovic Savic ka patur një rast për Lazion.

Edhe në pjesën e dytë kemi sërish të njëjtën tablo. Pessina provon, por Strakosha pret pa vështirësi. Immobile mundohet të përgjigjet, por është i pasaktë në gjuajtjen e tij. Lazio është më kërkuese në pjesën e dytë dhe i afrohet golit me Zaccagnin, por është shtylla ajo që shpëton portierin Musso.

Marusic provon sërish për vendasit, por gjuajtja e tij përfundon jashtë. Skuadra e Sarrit luan më mirë në pjesën e dytë dhe provon të shënojë me Luis Alberton, por Musso shfaqet në lartësinë e duhur.

Mungojnë emocionet dhe rastet në minutat e mbetura dhe gjithçka mbyllet të barazim të bardhë 0-0 në “Olimpico”. / Oversport.tv

Itali – Serie A / Java e 23-të

Lazio-Atalanta 0-0