Pas sfidës së fituar përballë Lazios javën e kaluar, një tjetër përballje e vështirë e pret Milanin, që do të udhëtojë nesër drejt Torinos për t’u ndeshur me Juventusin vendas. Përballë ka një skuadër të plagosur, që akoma nuk ka fituar në këtë sezon të Serie A.
Pioli duhet të bëjë pa ndihmën e Calabrias, që u dëmtua në strëvitjen e të premtes, si dhe pa dyshen e sulmuesve Ibrahimovic dhe Giroud. Ja çfarë ka thënë tekniku kuqezi në konferencën për shtyp në prag të ndeshjes kundër Juventusit:
“Më bëhet qejfi që do të ritakoj Allegrin, trajner i madh dhe njeri i zgjuar. Nuk e prisnim të gjenin Juventusin në këtë situatë, por nuk jemi favoritë. Ata kanë lojtarë shumë të mirë dhe një traditë këtu. Do të jetë një ndeshje e ekuilibruar. Një ndeshje e rëndësishme për të dyja skuadrat. Ibra dhe Giroud do të mungojnë në transfertën e Torinos”.
Më pas tekniku ka folur për gjendjen e skuadrës: “Gjithmonë kemi synuar ekuilibrin. Vlerësuam ndeshjen kundër Liverpool dhe tashmë duhet të punojmë më shumë. Skuadra po rritet nga ndeshja në ndeshje. Mendojmë se jemi një grup i fortë, por këtë duhet ta tregojë fusha. Nesër do të jetë një ndeshje e një niveli të lartë. Pres një Milan të fortë, të vetëdijshëm për fuqinë që ka”-ka përfunduar tekniku i Milanit, Stefano Pioli.