Muriqi bën për vete tifozët dhe Sarrin, në “Dall’Ara” në kërkim të golit të parë

Zgjedhjet në sulm për ndeshjen e radhës në kampionat kundër Bolognas varen nga Ciro Immobile.

Bomber i Lazios u largua nga fusha e lojës në ndeshjen kundër Lokomotivës së Moskës për shkak të një problem muskulor në kofshën e djathtë. Në lojë u fut Vedat Muriqi, që në rast se Ciro nuk ia del të rikuperojë, është i gatshëm të luajë si titullar në sfidën e “Dall’Ara”.

Sarri dhe klubi bardhekaltër e shohin sulmuesin kosovar si rezervën ideale të goleadorit lacial. Tekniku e ka mbrojtur sulmuesin nga kritikat dhe tashmë ka ardhur koha që ai t’ia shpërblejë me gola.

Në 118 minuta të luajtura këtë sezon (të ndara në 7 ndeshje), Muriqi ka dhënë vetëm një asist. Vitin e kaluar sulmuesi nuk shfaqi dot më të mirën e tij, por këtë vit po mundohet shumë që të lërë gjurmën e tij në skuadër.

Tifozët po e mbështesin, madje në ndeshjen e fundit në “Olimpiko” i dedikuan edhe një kor: “Mu duk sikur pashë Muriqin, Muriqin”. Mbështetja i bën mirë dhe tashmë ka shansin që në Bologna, të zhbllokohet dhe të gjejë rrugën e rrjetës. Këtë shpreson Sarri, këtë shpresojnë tifozët e Lazios. / Oversport.tv