Musta: Dal në çdo konferencë veç të shënoj gola, na mungonte fitorja

Emiljano Musta e ka “fiksim” që golin e parë sezonal t’ia shënojë Kastriotit. Vjet ndodhi me Laçin, ndërsa këtë sezon me Partizanin. Mbrojtësi i krahut të majtë ndëshkoi Edmir Salin, shok skuadre sezonin e shkuar, me një goditje dënimi dhe i dha epërsinë “demave”.

Fitorja po pritej me padurim në kampin e kuq, ndërkohë që Emiljano Musta deklaratën e dhënë pas ndeshjes së djeshme e nisi me një batutë. Më pas foli për rëndësinë e tre pikëve, vazhdimësinë e garës me Partizanit dhe është goxha optimist në fjalët e thëna për gazetarin e Oversport, Vladimir Prenga.

Sa duket klubi e kishte ndjerë që do të shënonit, pasi dolët në konferencën para ndeshjes…
-Nëse është ashtu, do të dal unë çdo javë në konferencë (qesh.)

Sa e rëndësishme ishte kjo fitore për Partizanin?
-Me thënë të drejtën ishte një fitore shumë e rëndësishme për vetë situatën që ndodheshim. Ishim në presionin e rezultateve, pasi lojërat i kemi pasur të mira. Na mungonte fitorja dhe them që është një fitore mjaft, mjaft e rëndësishme në këtë pikë të kampionatit.

Mendoni se do të jetë një fitore si “ashensor” për Partizanit që të ngjitet lart?
-Besoj se po dhe shpresoj që të jetë kjo pika e kthesës për ne. Tani kemi edhe dy javë pushim nga ndalesa e kombëtareve. Do t’i marrim gjërat me qetësi dhe besoj se është pika e kthesës dhe shpresoj që të ngjitemi edhe më lart.

I keni shënuar sërish Kastrioti, siç bëtë edhe vjet me fanellën e Laçit.
-E bukur kjo, nuk e mbaja mend. Shpresoj të jetë një ogur i mirë dhe ta ndihmoj ekipin sa më shumë me fitore, pasi ato kanë më shumë rëndësi se golat që janë në plan të dytë.

Jeni çliruar më në fund nga ana psikologjike?
-E thashë edhe në konferencën para ndeshjes, që ekipi ynë ka fituar vetëbesim edhe pas fitores në Kupë. Jem në rritje dhe e vetmja gjë që na mungonte ishte rezultati. Tani na shtohet edhe më shumë besimi dhe le të vazhdojmë përpara me ndeshjet e radhës.

Tani keni tre ndeshje brenda, a mendoni se e keni në favor kalendarin?
-Në këtë pikë ku jemi nuk shikojmë shumë larg. Duam t’i marrim ndeshjet një e nga një. Është e vërtetë që kemi tre ndeshje brenda, por fokusi ynë është te Laçi që është ndeshja e radhës për ne. / oversport.tv