Myrtaj: Inzaghi nuk goditi me zëvendësimet, Giroud bëri një “Gran Gol”

Ish-futbollisti i kombëtares shqiptare, Florian Myrtaj ka analizuar derbin e Milanos, që u fitua nga Milani falë një dygolëshi të Giroud.

Për ish-sulmuesin, që tashmë bën komentin teknik të sfidave të Serie A për Oversport, derbi është dominuar nga Interi, por një perlë e sulmuesit francez i ka dhuruar fitoren Milanit. Myrtaj ka rezerva edhe për zëvendësimet e bëra nga Inzaghi, që kësaj radhe nuk ka goditur në shenjë.

“Nuk mendoja që Milani të reagonte, por ato 3 minuta ishin fatale për Interin. Giroud nuk po luante shumë mirë, por shënoi 2 gola dhe i dha të drejtë Piolit. Për 75 minuta thuajse nuk ishte në fushë, por bëri 2 gola në derbi. Goli i parë ishte më shumë fat, kurse i dyti ishte një “Gran Gol”.

Interi dominoi të gjithë ndeshjen dhe nuk pritej një reagim i tillë i Milanit. Pas golave Interi nuk reagoi. Sot Inzaghi nuk goditi me zëvendësimet. Lautaro duhet të rrinte në fushë, sepse ishte një nga lojtarët më në formë. 10 minutat e fundit Interi ishte i pafuqishëm dhe nuk i shfrytëzoi rastet e pakta që krijoi.

Ishte një ndeshje shumë emocionuese, që dhuroi shumë emocione për tifozët e shumtë në stadium si dhe për shikuesit e Oversport. Milanit i mungonin lojtarë, por arriti që të përmbysë një ndeshje të rëndësishme dhe rihapi kampionatin.

Inzaghi nuk bëri ndërrimet e duhura, pasi zëvendësimet e Interit nuk ishin të goditura dhe nuk dhanë impakt në lojë. Largimi i Perisic ka ndikuar tek loja e Interit. Zikaltërit u munduan që të ruajnë avantazhin dhe ulën ritmin e lojës. Interi duhet të mbyllte ndeshjen, sepse në Serie A mund të ndodhë gjithçka”, ka thënë Myrtaj.