Nagelsmann: Villarreal skuadër e rrezikshme, por ne jemi favoritë

Trajneri i Bayernit, Julian Nagelsmann nuk fshihet në prag të ndeshjes së Champions League kundër Villarreal:

“Do të përballemi me një skuadër eksperte. Një skuadër e mirë që mund të luajë në disa skema, që di të dalë me topin në këmbë, që bën presing dhe mbron mirë. Por unë kam besim te djemtë e mi, jam optimist dhe besoj se mund të fitojmë.

Besoj se mund të thuhet që jemi favoritë, kemi objektiv të fitojmë të dyja ndeshjet dhe të kualifikohemi në gjysmëfinale, të vetëdijshëm se kemi përballë një kundërshtar të rrezikshëm”, ka thënë trajneri i bavarezëve në konferencën për shtyp në prag të transfertës në Spanjë.

“Ata kanë lojtarë si Danjuma, që është një lojtar i nivelit të lartë dhe mund të prishë ekuilibrat. Por kanë edhe një kolektiv të fortë dhe i treguan cilësitë e tyre përballë Juventusit. Janë solidë dhe konkurruesë, e dimë që nuk do të jetë e lehtë. Nuk kanë presionin që kemi ne dhe kanë një trajner si Emery, që e njohim të gjithë sa i zoti është”, ka shtuar Nagelsmann.

Tekniku i bavarezëve ka folur edhe për episodin e Frajburgut, kur skuadra e tij për shkak të një gabimi luajti për disa sekonda me 12 lojtarë në fushë:

“Personalisht nuk e kuptoj pse Freiburg po apelon. Nuk besoj se mund të shënonin 2 gola në 18 sekonda…Po të isha në vendin e tyre nuk do të isha kaq i lumtur. Sepse nëse arrihet një kualifikim në Europë nga ato tre pikë, nuk do të ishin pikë të fituara në fushë”, ka thënë trajneri i Bayernit. / Oversport.tv

Foto: FC Bayern München Twitter