Napoli e mbyll me fitore bindëse, por sherri mes tifozëve “vjedh” skenën

Napoli e ka mbyllur me fitore këtë edicion të Serie A pasi mposhti në ndeshjen e fundit Spezian e Rey Manaj me rezultatin e pastër 3-0. Në një sfidë ku patën një hapësirë të madhe lojtarët e rinj, të besuarit e Spallettit nuk zhgënjyen duke dominuar takimin pothuajse përgjatë 90 minutave, ndërsa nuk munguan as situatat e pakëndëshme mes tifozëve.

Kështu Napoli gjeti menjëherë rrugën e rrjetës me Politanon falë një aksioni personal. Një gol mjaft i bukur nga sulmuesi i krahut që prishi edhe ekuilibrat e takimit duke e çuar ndeshjen në 1-0.

Megjithatë, në një ndeshje ku nuk kishte peshë për sa i përket objektivave, tifozët mes tyre pas 10 minutash lojë u konfrontuan duke ndërprerë ndeshjen. Edhe vetë lojtarët dhe trajnerët e ekipeve shkuan për të qetësuar tifozët, ndërsa sfida rifilloi pas rreth 12 minutash.

Pas rifillimit të lojës Napoli gjeti edhe golin e dytë, këtë herë me Piotr Zielinski. Gjithëka nën kontrollin e Napolit që duket i uritur për fitore dhe shënon gjithashtu dhe golin e tretë me Demme.

Pak minuta më vonë realizoi edhe sulmuesi i kombëtares shqiptare Rey Manaj, por goli i tij u anulua për një pozicion jashtë loje. Me këto shifra përfundoi edhe pjesa e parë, ndërsa në të dytën rritmi ra ndjeshëm.

Rey Manaj do t’i shkonte sërish shumë pranë golit në fundin e takimit ku falë një topi që filtroi në brendësi të zonës vendosi shqiptarin përballë portierit. Megjithatë, topi i tij u ndal nga tranversa duke mos e lejuar Manaj të realizojë.

Me rezultatin 3-0 kështu mbyllet kjo sfidë e fundit e këtij kampionati për të dyja ekipet që e mbyllin këtë edicion në kuotën e 76 pikëve Napoli dhe 36 Spezia. /oversport.tv

Foto: Official SSC Napoli, Twitter