0-4, tre pikë të fituara dhe Napoli që shënon në 30 ndeshje radhazi të Serie A, gjë që në të shkuarën e kanë bërë vetëm Milani dhe Juventusi. Skuadra e Luciano Spalleti ka shansin të futet në histori dhe ta thyejë rekordin, pas triumfit të sotëm ndaj Udinese që nuk kishte pësuar asnjë humbje.
Napoli mori fitoren e katërt në po kaq ndeshje të Serie A dhe kryeson i vetëm, duke lënë pas Interin dhe Milanin që numërojnë nga dy pikë më pak. Të kaltrit ia dolën të fitojnë lehtë, edhe pse u mendua se në “Dacia Arena” do të ishte një duel i vështirë.
Victor Osimhen, blerja rekord e klubit italian, zhbllokoi ndeshjen shpejt. Nigeriani vetëm sa e shtyu topin në rrjetë, pasi pjesën më të madhe të punës e kishte bërë Insigne, i cili e ccoi topin deri në vijën fatale.
Më pas goli i dytë ishte spektakolar dhe u realizua nga një shqiptar, Amir Rrahmani. Një skemë perfekte në një goditje dënimi dhe mbrojtësi i Kosovës me kokë e ccoi topin në rrjetë. Golat e bukur nuk kishin të mbaruar.
Koulibaly u shfaq sërish si bomber dhe në hyrje të zonës lëshoi një silurë që u ndal në rrjetën e portës së Udinese. Gol mjeshtëror ishte edhe i fundit, që Napoli e shënoi me anë të Lozano. 0-4 dhe tre pikë për skuadrën e Spalleti, që duket se sivjet do jetë pretendente kryesore për titullin kampion.
SERIE A – JAVA 4
Udinese-Napoli 0-4
Shënues: Osimhen 24’, Rrahmani 35’, Koulibaly 52’, Lozano 84’
/ oversport.tv