“Napoli kampion? E kam thënë që në nëntor”, Benitez: Mund të fitojnë edhe Championsin

Dyshimet që Napoli do të shpallet kampion i Italisë në këtë edicion të Serie A janë të pakta. Të besuarit e Spallettit tashmë ndodhen 15 larg vendit të dytë dhe me po kaq ndeshje të mbetura, shanset që të ndodhi një përmbysje e çmendur janë pothuajse zero.

Por të flasësh me bindje për Napolin në muajin shkurt është diçka e thjeshtë, ndërsa nëse e bëje në muajin nëntor jo. Megjithatë, për të bërë një deklaratë të tillë ka guxuar trajneri Rafa Benitez i cili në një interviste për “La Gazzetta dello Sport”, ka zbuluar një bisedë që ka bërë me trajnerin aktual të Napolit, Luciano Spalletti.

“Me avantazhin që ka krijuar, tashmë është e thjeshtë të thuash se Napoli do të fitojë titullim kampion, por unë ia kam thënë këtë gjë Spallettit që në fillimin e muajit nëntor. Ne u takuam në një hotel në Liverpool. Napoli vinte nga një seri e gjatë fitoresh, ishte i pamposhtur në Itali dhe në Champions, por kishte vetëm 5 pikë diferencë me Atalantën e vendit të dytë dhe 6 ndaj Milanit.

I thash Lucianos se do të rikthejë titullin në Napoli. Ai nuk donte ta dëgjonte këtë gjë ndoshta për shkak të një supersticioni, por unë e ndjeja se ishte viti i duhur”, u shpreh fillimisht ish-trajneri i Napolit.

Benitez megjithatë, nuk guxoi vetëm në muajin nëntor, por bën edhe një tjetër deklaratë të bujshme në intervistën e tij. Këtë herë jo më për Serie A, por për besimin që ka te rrugëtimi i Napolit në Champions League, aty ku pengesa e parë e italianëve është Eintracht Frankfurti.

“Kur flitet për favoritët e Champions League përmenden gjithmonë të njëjtat emra si Real Madrid, Manchester City, Bayern Munich, etj. Por unë them se të gjithë duhet të mbajnë një sy te Napoli. Për mua Napoli i ka të gjitha letrat për të surprizuar edhe në Europë.

Kam besim tek ata, nuk kanë asgjë për të humbur. Luajnë mirë, kanë një epërsi të madhe në kampionat dhe për këtë arsye nuk do të jetë një shpërqëndrim fizik dhe mental në Champions.

Ata mund të ecin gjatë në Europë dhe sa më shumë ta bëjnë aq më shumë do të ritën. Unë e di mirë se çfarë do të bën euforia në një qytet si Napoli kur vjen puna te mbështetja e ekipit.

Prandaj unë them, përse jo? Me këtë gjë nuk po them se Napoli do të fitojë Champions League, por thjesht se mund t’ia dalë”, përfundoi Rafa Benitez i cili e ka shijuar triumfin në këtë kompeticion me Liverpoolin e tij në vitin 2005.

Foto: SSC Napoli, Facebook