Napoli merr fitoren e parë si kampione Italie, Osimhen ndëshkon Fiorentinën

Napoli ka arritur të triumfojë në shtëpi duke mundur Fiorentinën me rezultatin 1-0 në një sfidë të vlefshme për javën e 34-t të Serie A.

Ekipet e nisën të dyja sfidën duke kërcënuar njëra-tjetrën, por pa mundur të shënojnë asnjëherë në pjesën e parë. Pas vetëm 3 minutash nga fillimi i pjesës së dytë, gjyqtari akordoi një 11-metërsh në favor të Napolit.

Osimhen e mori përsipër, por Terraciano nuk i dha mundësinë nigerianit të prishte ekuilibrat e këtij takimi. Megjithatë, arbitri kryesor akordoi një tjetër penallti për vendasit.

Ishte sërish Osimhen ai që e mori përsipër, por kësaj radhe bomberi napolitan arriti të realizojë në stadiumin “Maradona”. Fiorentina u përpoq të barazojë shifrat pas golit të shënuar, por nuk arriti të kishte rezultat në takimin që u mbyll në 1-0.

Me këtë fitore, Napoli shkon në kuotën e 83 pikëve në kampionatin italian ku një javë më parë është shpallur kampion. Nga ana tjetër, Fiorentina mbetet në vendin e 8-të me 46 pikë. /oversport.tv

Foto: SSC Napoli, Facebook