Napoli përballë shqiptarëve të Legias, Lazio-Marseille kryendeshja e ditës

Do të zbresin sot në fushë edhe ekipet që militojnë në dy kompeticionet e tjera të UEFA-s, Europa League dhe Conference League, për të zhvilluar ndeshjet e treta në grupet respektive.

Lazio do të presë në “Olimpico” Marseillen në një nga ndeshjet më interesante të ditës së sotme në Europa League, ndërsa kryesusuesit e Serie A, Napoli, do të luajë në stadiumin “Maradona” kundër Legias së Varshavës, skuadër në të cilën aktivizohen edhe shqiptarët Muçi, Çelhaka dhe kosovari Lirim Kastrati.

Betis-Leverkusen dhe PSV-Monaco janë dy sfida të tjera shumë interesante që do të luhen sot në këtë kompeticion. Kujtojmë se ndeshjet e Europa League luhen në dy oraret standarte, në orën 18:45 dhe në orën 21:00.

Sot do të luhen edhe takimet e treta të grupeve të kompeticionit më të ri të UEFA-s, Conference League. Roma e Mourinhos do të luajë në transfertën norvegjeze përballë Bodo/Glimt, ndërsa Vitesse-Tottenham është sfida më interesante e ditës në këtë turne.

Ndeshjet e këtij turneu do të zhvillohen në orën 18:45 dhe 21:00, ndërsa sfida HJK Helsinki-Maccabi Tel Aviv do të luhet në orën 16:30. /Oversport.tv