Napoli rikthehet te fitorja, mposht në transfertë Sampdorian

Humbja ndaj Interit nuk e demoralizon aspak Napolin që kthehet menjëherë te fitorja në Serie A. Të besuarit e Spallettit mposhtin në transfertë Sampdorian me rezultatin e pastër 2-0. Mjaftuan golat e Osimhen dhe Elmas që napoletanët të dalim me pikë të plota nga ky duel duke konsoliduar sërish pozitat në krye të klasifikimit.

Ndeshja nis menëjherë me një shans të artë për Napolin që nuk shfrytëzohet si duhet. Matteo Politano ka mundësi të çojë shifrat në 1-0, por nuk tregohet i qartë nga pika e bardhë e 11-metërshit pasi goditja e tij ndalet nga portieri Audero.

Reagon Sampdoria me anë të Lammers që nuk ia del dot të tregohet i qartë përpara, portës, ndërsa Audero do të tregohej sërish vendimtar me një pritje ndaj Victor Osimhen. Megjithatë, ky i fundit nuk gabon në rastin e radhës që i jepet duke i çuar shifrat në 1-0.

Duket se gjithçka do të jetë më e lehtë për Napolin kur në fundin e pjesës së parë, Rincon lë ekipin e tij me 10 lojtarë për një ndërhyrje të gabuar. Fraksioni i parë mbyllet me avantazhin minimal të miqve, por edhe pjesa e dytë ka të njëjtën panoramë.

Napoli dominon ndeshjen dhe shfaqet rrezikshëm, ndërsa Sampdoria me 10 lojtarë nuk arrin dot të vendos në provë portierin Meret. Rezultati final i takimit vuloset tetë minuta nga fundi i kohës së rregullt. Sërish një penallti për Napolin dhe këtë herë merret përsipër nga Elmas që nuk gabon dhe e çon topin në rrjetë. Në fund sfida mbyllet me rezultatin 2-0 dhe Napoli grumbullon tre pikë të tjera duke shkuar në kuotën e 44 pikëve në Serie A. /oversport.tv

Foto: Official SSC Napoli, Twitter