Napoli skuadra për t’u mundur, Milan dhe Inter rivalë të fortë për titullin

Napoli është skuadra që ka vendosur diktatin e saj në Serie A, duke koleksionuar 7 fitore në po aq ndeshje të luajtura në kampionat. Të besuarit e Luciano Spallettit qëndrojnë me meritë të vetëm në krye të renditjes dhe tashmë janë konfirmuar si skuadra favorite për të fituar titullin kampion këtë sezon.

Napoli po bind në lojë, pasi skuadra funksionon në perfeksion. Kryesuesit e Serie A kanë mbrotjen më të mirë të turneut (3 gola të pësuar) dhe sulmin e dytë më të mirë (18 gola të shënuar).

Duket se do të jenë Milani dhe Interi skuadrat që do të rivalizojnë me napoletanët për titullin kampion këtë sezon. Skuadra e Piolit, ndonëse me një grup të rinj lojtarësh, po zhvillon një sezon fantastik, duke arritur 6 fitore dhe 1 barazim (në transfertë përballë Juventusit) në këto 7 javë të para të Serie A.

Kampionët e Interit, janë skuadra tjetër që nuk ka pësuar humbje këtë sezon. Zikaltërit kanë lënë disa pikë rrugës, por vazhdojnë të mbeten një nga favoritët për titullin.

Roma dhe Lazio kanë qënë të paqëndrueshme në paraqitjet e tyre dhe duket se këtë sezon kënaqen me një vend në Champions, ashtu si Atalanta e Gasperinit.

Juventusi po rikthehet. Bardhezinjtë kanë arritur tre fitore radhazi në kampionat dhe tashmë kanë nisur rrugën drejt kreut të renditjes. Aktualisht diferenca me Napolin është 10 pikë, por “zonja e vjetër” mbetet gjithmonë favorite për titullin kampion.

Cagliari është skuadra e vetme në Serie A, që nuk ka fituar asnjë ndeshje këtë sezon dhe jo më kot qëndron në vendin e fundit në tabelën e klasifikimit. Spezia, Salernitana dhe Venezia duket se do të jenë skuadrat e tjera që do të diskutojnë rënien në kategorinë inferior.

Dzeko dhe Immobile kryesojnë listën e golashënuesve me 6 gola secili, të ndjekur nga Lautaro Martinez me 5 gola. /Oversport.tv