Napoli surpriza më e bukur, por edhe Inter e Milan mbeten favoritë

Është mbyllur java e pestë e kampionatit italian të futbollit, takimet e së cilës janë transmetuar të gjitha Live në kanalet Oversport. Tashmë janë konturuar skuadrat pretendente që do të luftojnë për titullin kampion në Serie A, si dhe skuadrat që do të luftojnë për të mbijetuar mes më të mirave të Italisë.

Napoli është padiskutim skuadra që ka spikatur më shumë në këto javë të para të kampionatit. Skuadra e Spallettit ka bindur me lojë dhe rezultate, prandaj me meritë qëndron e vetme në krye të renditjes së Serie A, me pikë të plota.

Edhe dy skuadra e Milanos janë paraqitur shumë mirë në këtë nisje të sezonit. Interi dhe Milani, të dyja në kuotën e 13 pikëve, kanë bindur në këtë start të kampionatit dhe mbeten dy nga favoritet për fitimin e titullit.

Mourinho kërkon kohë, por Roma e tij është mes katër skuadrave të para në renditjen e Serie A. I bindur se nuk ka organikën e rivalëve, portugezi kërkon të bëjë mrekullinë, duke synuar titullin me kryeqytetasit.

Atalanta po tregon se edhe këtë sezon do të jetë një kandidate serioze për zonën Champions, ndërsa Lazio e Sarrit ka treguar paqëndrueshmëri dhe aktualisht po kalon një krizë rezultatesh.

Juventusi ka bërë nisjen më të keqe të sezonit në 60 vitet e fundit, por fitorja e parë sezonale kundër Spezias tregon se bardhezinjtë “u zgjuan” dhe tashmë kërkojnë të ngjisin shkalllët e klasifikimit, që të shkojnë sa më shpejt në vendin ku u takon. Pavarësisht nisjes së dobët, “zonja e vjetër” mbetet një nga favoritet për të fituar titullin.

Salernitana dhe Cagliari janë skuadrat e vetme që nuk kanë provuar akoma shijen e fitores këtë sezon, prandaj edhe mbyllin renditjen e kampionatit italian.

Me 18 gola të shënuar, kampionët në fuqi të Interit kanë sulmin më të mirë të turneut, ndërsa Napoli dhe Milani kanë mbrojtjen më të mirë me 2 gola të pësuar në 5 takime të luajtura.

Ciro immobile kryeson listën e golashënuesve me 6 të tillë, i ndjekur nga Joao Pedro dhe Dzeko me nga 4 gola secili. /Oversport.tv