Napoli tregon forcën, Juventusi turpërohet në “Maradona”

Napoli dominon dhe fiton bindshëm supersfidën ndaj Juventusit dhe konsolidon pozitat në krye të renditjes së Serie A. Nuk ka histori ndeshja në “Maradona” që fitohet nga vendasit me rezultatin e thellë 5-1.

Ndeshja ka ritëm të lartë, emocione dhe gola. Napoli nis menjëherë vrullshëm takimin dhe dominon lojën. Osimhen zhbllokon ndeshjen pas 14 minutash lojë dhe kalon vendasit në avantazh. Pas 770 minutave pa pësuar gol, thyhet mbrojtja bardhezi.

Juventusi mundohet të reagojë dhe është Di Maria ai që godet traversën me një gjuajtje nga distanca. Pak minuta më vonë Kvaratskhelia shënon golin e dytë për Napolin. Juventusi përgjigjet menjëherë dhe ngushton shifrat me Di Marian. Mbyllet 2-1 një pjesë e parë shumë e bukur në “Maradona”.

Napoli nis furishëm pjesën e dytë dhe shënon golin e tretë me Rrahmanin. Osimhen shënon golin e dytë personal, të 12-in sezonal dhe plotëson pokerin për vendasit. Juventusi duket I dorëzuar dhe nuk arrin të reagojë. Është sërish Napoli që gjen rrugën e rrjetës, këtë herë me Elmas.

Napoli shkatërron rivalët e Juventusit 5-1 dhe ngjitet në kuotën e 47 pikëve në tabelën e klasifikimit. Skuadra e Spallettit hedh një tjetër hap drejt titullit kampion, ndërsa bardhezinjtë ndalen pas 8 fitoreve radhazi në kampionat. / Oversport.tv