NBA/ Boston i jep leksion Milwaukeet, Pelicans surprizon Denverin në shtëpi

Kur kanë mbetur edhe 9 ditë nga fundi i sezonit të rregullt në NBA të gjitha ekipet po luftojnë për të siguruar një vend në fazën “play off” ose të paktën atë “play in”. Deri më tani e kanë siguruar një vend për në fazën finale gjashtë ekipe, me Denver Nuggets e Memphis Grizzlies nga Konferenca Perëndimore dhe Milwaukee, Boston, Philadelphia dhe Cavaliers në Konferencën Lindore.

Në orët e para të mëngjesit të sotëm ndërkohë janë luajtur edhe dy sfida shumë interesante që kanë prodhuar rezultate surprizë. Kryesuesit e Konferencës Perëndimore, Denver Nuggets mposhten në shtëpi nga New Orleans Pelicans në shifrat 107-88. Një ndeshje e dobët nga vendasit që nuk arrijnë dot të tregojnë forcën e tyre pa lojtarin më të mirë të skuadrës Nikola Jokic. Fantastik nga ana tjetër për Pelicans, Brandon Ingram që realizon një tripledouble me 31 pikë, 11 rebound e 10 asist. Një ndihmë të madhe në këtë triumf dha edhe McCollum me 23 pikë.

Sfida tjetër mes Milwaukee Bucks dhe Boston Celtics përfundoi me fitoren e thellë Celtics me rezultatin 140-99. Një sfidë kjo ku shkëlqen dyshja Tatum dhe Brown, respektivisht me 40 dhe 30 pikë duke e kthyer në një përballje pa shumë histori. Boston dominoi në të katërta periodat, ndërsa nuk mundet të bëjë asgjë për të ndryshuar rezultatin ylli Giannis Antetokounmpo, pasi 24 pikët e tij kanë vetëm vlerë statistikore. /oversport.tv

Foto: Boston Celtics, Twitter