NBA: Charlotte ndal Golden State, Milwaukee ka “humbur busullën”

Golden State mundet 106-102 nga Charlotte dhe pëson kështu humbjen e dytë në këtë sezon në NBA. Atlanta shpartallon Milwaukee 120-100 falë Young në superformë, që realizon 42 pikë. Ndalet vrulli i Clippers-ave, që mposhten 100-90 nga Chicago. Fitojnë ndeshjet respektive edhe Lakers, Nets dhe Suns.

CHARLOTTE HORNETS-GOLDEN STATE WARRIORS 106-102

Mendon surpriza Charlotte, që të ndalë vrullin e Golden State, që pas 7 fitoreve radhazi, pëson humbjen e 2 sezonale. Hornets zhvillojnë një ndeshje të madhe dhe zhbllokojnë një ndeshje të ekuilibruar vetëm në fundin e saj, pasi diferencën në këtë sfidë e bëri perioda e fundit, që u fitua nga vendasit 19-14.

Charlotte merr kështu fitoren e tretë radhazi në kampionat. Wiggings realizon 28 pikë, ndërsa Steph Curry 24 pikë dhe 10 rebounde, por nuk mjaftojnë që Warriors të evitojnë humbjen.

ATLANTA HAWKS-MILWAUKEE BUCKS 120-100

E udhëhequr nga Trae Young në superformë, Atlanta “rilind” pas 6 humbjeve radhazi dhe mposht 120-100 kampionët në fuqi të NBA. Për Milwaukee kjo ishte humbja e 8-të në 14 ndeshjet që ka zhvilluar këtë sezon. Hawks-at dominojnë që në fillim të takimit dhe mbyllin pjesën e parë në avantazh 58-44.

Bucks-at mundohen që të reagojnë, por bien sërish në periodën e fundit dhe humbasin gjithë takimin 120-100. Trae Young është lideri i vendasve me 42 pikë dhe 10 asist, ndërsa Antetokounmpo realizon 26 pikë për miqtë.

LOS ANGELES LAKERS-SAN ANTONIO SPURS 114-106

Lakers mposhtin 114-106 San Antonion dhe marrin kështu fitoren e tretë në 4 sfidat e fundit që kanë luajtur në kampionat. Akoma pa LeBron, vendasit udhëhiqen nga Anthony Davis, që realizon 34 pikë dhe 15 rebounde.

Miqtë mundohen të reagojnë në fund, të frymëzuar nga Dejounte Murray, që realizon një “triple double” (22 pikë, 10 rebound dhe 10 asist) dhe Johnson me 24 pikë, por nuk arrijnë të evitojnë humbjen e 9-të në 13 takime të zhvilluar në kampionat.

Ndeshjet e tjera të NBA:

HOUSTON ROCKETS-PHOENIX SUNS 89-115

OKLAHOMA CITY THUNDER-BROOKLYN NETS 96-120

LOS ANGELES CLIPPERS-CHICAGO BULLS 90-100

DENVER NUGGETS-PORTLAND TRAIL BLAZERS 124-95