NBA: Fitore të lehta për LA Clippers dhe Washington, Philadelphia në krizë

Vazhdojnë serinë e fitoreve në NBA, Los Angeles Clippers dhe Washington Wizards, që fitojnë respektivisht ndeshjen e shtatë dhe të katërt radhazi. Miami fiton në transfertë përballë Utah, ndërsa Cleveland mposht Bostonin me përmbysje.

Philadelphia humbet ndeshjen e katërt radhazi, ndërsa New Orleans rikthehet tek fitorja, pasi mposhti Memphisin.

LOS ANGELES CLIPPERS-MINNESOTA TIMBERWOLVES 129-102

Clippers-at konfirmojnë gjendjen e shkëlqyer që po kalojnë, duke marrë fitoren e 7-të radhazi në kampionat, pasi kanë mposhtur Minnesotan 129-102. Paul George realizon 23 pikë, ndërsa Reggie Jackson shton edhe 21 të tjera në rezultatin e përgjithshëm.

Vendasit dominojnë gjithë ndeshjen dhe pas 2 periodave të para e shohin veten në një avantazh prej më shumë se 20 pikësh. Ky avantazh është ruajtur pa problem deri në përfundim të takimit. Anthony Edwards shënon 21 pikë për miqtë, por nuk mjaftojnë që Minnesota të evitojë humbjen.

ORLANDO MAGIC-WASHINGTON WIZARDS 92-104

Washingtoni koleksionon fitoren e 4-t radhazi në kampionat dhe ngjitet në krye të Konferencës së Lindjes. Kryeqytetasit konfirmojnë formën e mirë të këtij fillim sezoni dhe kalojnë me sukses 104-92 edhe pengesën me emrin Orlando.

Spencer Dinwiddie shënon 23 pikë, ndërsa Montrezl Harrell 20 pikë për Wizards. Orlando pëson humbjen e 6-të në 7 takime të luajtura në shtëpi këtë sezon si dhe humbjen e 10-të sezonale.

UTAH JAZZ-MIAMI HEAT 105-111

Për herë të dytë në harkun e 10 ditëve, Miami mposht Utah në NBA. Tyler Herro me 27 pikë udhëheq miqtë drejt suksesit, ndërsa Duncan Robinson shënon 22 pikë.

Utah, po kalon një moment jo të mirë, pasi pëson humbjen e 4-t në 5 ndeshjet e fundit në kampionat. Bojan Bogdanovic shënon 26 pikë për vendasit, ndërsa Jordan Clarkson 25 pikë, por sërish nuk arrijnë të çojnë Jazz-at drejt fitores.

Ndeshjet e tjera të NBA:

CLEVELAND CAVALIERS-BOSTON CELTICS 91-89

INDIANA PACERS-PHILADELPHIA 76ERS 118-113

TORONTO RAPTORS-DETROIT PISTONS 121-127

NEW ORLEANS PELICANS-MEMPHIS GRIZZLIES 112-101